Këto janë problemet serioze që mund të paraqiten nëse uji i Badocit përdoret për pije

Shkak i rritjes së nivelit të manganit, është rekomanduar që të mos përdoret për pije uji nga Liqeni i Badocit. Sipas infektologëve, aspekti shëndetësor i konsumatorëve do të përkeqësohet, nëse ky ujë përdoret për më shumë se një javë.

Siç ndodh rëndom kur ndërrohen stinët, është rritur vlera e manganit në Liqenin e Badocit.

Rrjedhimisht, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, rekomandon që të mos përdoret për pije uji që vjen nga ky burim, duke treguar edhe hartën zonale

“Të dhënat e analizave të bëra dhe krahasimi i tyre me të dhënat e ditëve paraprake si dhe përvoja nga situata e vitit 2023, na tregojnë se gjatë kohëzgjatjes së këtij fenomeni, vlerat e manganit kanë tendencë të rritjes së vazhdueshme ditë pas dite, andaj IKSHPK për këtë periudhë rekomandon që uji të mos konsumohet për pije dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale.”, thuhet në njoftim.

Nga KRU Prishtina, thonë se kanë marrë masat e nevojshme reaguese për këto raste.

“Ne menjëherë i kemi marrë masat e duhura, do të bëjmë shpërlarjen e gypave magjistral, shpërlarjen e gypave të grupacioneve sekondare, në mënyrë që të sigurojmë ujë për pije për konsumatorët në këtë zonë që furnizohen me ujë nga Liqeni i Badocit”, ka thënë zëdhënsja e KRU Prishtina, Arjeta Mjeku.

Mirëpo, sipas Mjekut, konsumimi i këtij uji nuk është shumë i rrezikshëm.

“Në momentin që është shumë nivel i lartë i manganit, ne e ndërprejmë edhe prodhimin e ujit që të mos shpërndahet asnjë pikë ujë. Por, duhet ta rrisim vigjilencën, të jemi më të vëmendshëm që mos ta përdorim për pijë por vetëm për higjienë”, theksoi Mjeku.

Rrezik për konsumatorët sipas infektologut, Hamdi Ramadani, mund të jetë nëse uji me sasi të larta të manganit përdoret për disa ditë.

“Për pije nuk mund të përdoret për shkak se nëse përdoret për një kohë të gjatë, bie fjala për shtatë ditë, tetë ditë ose nëntë ditë, atëherë mund të paraqiten probleme mendoj serioze, nga aspekti i shenjave dhe simptomave klinike nga inde dhe organe qoftë nga sistemi nervor, gastrointensinal e të tjera”, ka thënë Ramadani.

Edhe vitin e kaluar, një situatë e tillë ishte shfaqur në Liqenin e Badocit./Tëvë1

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *