Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me rastin e arrestimit të qytetarit Behar Preniqi në pikën kufitare Batrovci, në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë.
MPJD e ka cilësuar këtë ndalim si arbitrar dhe të paprovokuar, duke e quajtur një shembull tjetër të praktikave destruktive të autoriteteve serbe.
Në reagimin zyrtar, MPJD njofton se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi është angazhuar menjëherë përmes kanaleve diplomatike për të marrë informacione të plota mbi rastin dhe ka kërkuar zyrtarisht sqarime nga autoritetet serbe për arsyet e ndalimit të z. Preniqi.
Rasti është përcjellë gjithashtu te Delegacioni i BE-së në Serbi dhe misionet diplomatike të vendeve të Quint-it. MPJD ka bërë të ditur se në rast të vendosjes së masës së paraburgimit ndaj qytetarit Preniqi, do të kërkohet vizitë zyrtare në vendin e ndalimit të tij.
Në fund të njoftimit, MPJD u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet nëpër territorin e Serbisë për të garantuar sigurinë e tyre, ndërsa ka ftuar Bashkësinë Ndërkombëtare që të reagojë ndaj këtyre veprimeve të autoriteteve serbe, të cilat bien në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut.
Leave a Reply