Hyrja e Atilla Kardesh në BBVK, reagon Rrjeti i Grave: Mos i promovoni dhunuesit!

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), ka reaguar pas hyrjes në BigBrother Vip Kosova të ish-bashkëshortit të Drenusha Latifit.

Përmes një reagimi për media, RrGK-ja ka reaguar nda Klan Kosovës, duke bërë thirrje të mos promovohen dhunuesit.

“Rrjeti i Grave të Kosovës shpreh shqetësimin për promovimin publik të personave të dyshuar për dhunë me bazë gjinore, siç u pa mbrëmë në televizionin Klan Kosova. Ajo që ka ndodhur mbrëmë në një show në Klan Kosova, është e papranueshme dhe bie ndesh me përpjekjet tona të përbashkëta për të luftuar dhunën me bazë gjinore, një fenomen i përhapur që cenon mirëqenien e grave dhe vajzave në shoqërinë tonë”, thuhet në reagim.

Tutje, thuhet se të promovosh figura të përfshira në raste të tilla nuk është vetëm e papërgjegjshme, por dërgon një mesazh të rrezikshëm se dhuna ndaj grave mund të tolerohet apo të minimizohet.

“Bëjmë thirrje që mediat të marrin përgjegjësinë për të reflektuar seriozitetin që e ka ky problem dhe të jenë pjesë e zgjidhjes, jo e problemit. Dhuna me bazë gjinore duhet të dënohet pa asnjë hezitim dhe duhet të luftohet me vendosmëri nga të gjithë në çdo mënyrë që munden – për një shoqëri më të drejtë dhe të sigurt për të gjithë”, thuhet në reagimin e RrGK-së.

Ndryshe, të hënën në Prime e BBVK-së, banori më i ri që u bë pjesë e këtij formati në Klan Kosova ishte ish-bashkëshorti i Drenusha Latifit, për të cilin ajo kishte deklaruar se ishte dhunuar fizikisht nga ai.

Madje, deri vonë, ai kishte pasur edhe urdhër ndalesë për t’iu afruar Drenusha Latifit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *