Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të premten se nuk ekziston asnjë zgjidhje e kënaqshme për serbët për, siç ka thënë ai, “problemin e Kosovës”, teksa ka paralajmëruar marrjen e masave për këtë gjë.
“Nuk ekziston ai mrekullibërës që mund t’u sjellë serbëve një zgjidhje të mirë për Kosovën. E pranoj. Edhe pse jam presidenti që ka zhvilluar më së shumti bisedime”, ka thënë Vuçiq në një fjalim drejtuar popullit, të paralajmëruar ditë më parë.
Sipas një dokumenti që u është shpërndarë mediave para nisjes së fjalimit të presidentit serb, Serbia kërkon “heqjen e pasojave kryesore të veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara” të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Shtatë kërkesat e Serbisë
E para është shpallja dhe mbajtja e “zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike” në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të OSBE-së dhe kontrollin e Bashkimit Evropian.
Sipas Vuçiqit, Serbia kërkon kthimin e serbëve në drejtorinë rajonale të Policisë së Kosovës për Veri. Kjo, siç u theksua, do të zbatonte nenin 9 të Marrëveshjes së Brukselit nga viti 2013.
Serbia gjithashtu kërkon kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në pozitat gjyqësore.
Kërkohet edhe tërheqja e forcave speciale të policisë së Kosovës nga “bazat dhe postblloqet e ndërtuara ilegalisht” në veri të Kosovës.
Kërkohet edhe tërheqja e tyre nga të gjitha institucionet “që ofronin shërbime jetike publike dhe administrative për qytetarët nga viti 1999 deri në mbylljen e paligjshme të tyre në vitin 2024”.
Beogradi kërkon gjithashtu formimin “urgjent, të menjëhershëm dhe përfundimtar” të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe “pa lojëra të mëtejshme politike”.
“Sepse neve e kemi të qartë se për 12 vjet ka qenë vetëm një lojë që është përdorur për të fituar kohë, me qëllim që Asociacioni të mos formohet kurrë dhe të hiqen të gjitha të drejtat e serbëve përveç kësaj”, thuhet ndër kërkesat që iu shpërndanë mediave para fjalimit të Vuçiqit, raporton REL.
Gjithashtu kërkon “zbatimin e menjëhershëm të garancive të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së nga 28 dhjetor 2022 dhe lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë” të cilët janë arrestuar nga policia e Kosovës për “aktivizimin e tyre demokratik, qytetar apo politik, veçanërisht ata që u arrestuan për pjesëmarrje në protesta/barrikada paqësore”.
Serbia kërkon gjithashtu ofrimin e “menjëhershëm” të transaksioneve të pagesave të papenguara dhe shërbimeve postare në dinarë.
Këto kërkesa, siç u tha, do të përcillen në aktivitetet e ardhshme ndërkombëtare në kuadër të sistemeve të OKB-së dhe OSBE-së, si dhe në “ngritjen e vetëdijes për shkeljen e të drejtave të njeriut të serbëve brenda Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut”
Siç theksohet, ky është “parakusht i domosdoshëm për një përparim të kuptimshëm” në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas dokumentit, Beogradi do të nisë, “fushatë globale diplomatike” për të arritur plotësimin e kërkesave.
Në anë tjetër, kryeministri Albin Kurti, tha se Serbia në koordinim me Rusinë, po përgatit ultimatume të reja ndaj Kosovës, shkruan Insajderi.