Rezonanca magnetike e blerë për Spitalin e Prizrenit, përveçse ka lënë të pakënaqur stafin mjekësor për perfomancat e saj, ajo është blerë rreth gjysmë milioni euro më shtrenjtë se çmimi i tregut.
Një rezonancë magnetike – MRI 1.5 t, me performancat e njëjta si pajisja që u përurua në Spitalin e Prizrenit, në Kinë mund të blihet me çmim nga 350 mijë deri në 400 mijë euro. Por, Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, një pajisje e tillë nga një prodhues kinez, i kushtoi hiq më pak se 785 mijë euro, apo dyfish më shtrenjtë se çmimi i tregut.
Buletini Ekonomik ka hulumtuar tregun kinez për rezonanca magnetike dhe ka marrë disa oferta nga prodhues të njohur atje – në konkurrencë me prodhuesin ku është blerë pajisja nga MSH-ja.
Pajisjen kineze e bleu kompania kosovare NeuralMed, e cila u shpall fituese në një proces të dyshimtë tenderues, i përcjellë më konflikte interesi e raporte private biznesore mes anëtarëve të Komisionit Vlerësues e kompanisë fituese, deri te përshtatja e specifikave të tenderit.
Në ofertën e NeuralMed për Ministrinë e Shëndetësisë, në fakt duket sikur pajisja është prodhuar në Poloni, por Buletini Ekonomik ka gjetur se prodhuesi me të cilin NeuralMed ishte në konzorcium, është nga Kina. Fjala është për United Imaging Healthcare, e cila ka degë edhe në Poloni prej nga NeuralMed e solli pajisjen kineze në Kosovë.
Derisa pjesa e parë e hulumtimit është përqendruar në dyshimet për kurdisje të tenderit për NeuralMed, në pjesën e dytë prezantohen dëshmitë e radiologëve të Prizrenit rreth pajisjes kineze që u montua në Spitalin e Prizrenit.
“E padëshmuar në Evropë e rajon”
Radiologët e Prizrenit kanë qenë përgjegjës për t’i bërë specifikat e tenderit, por ata nuk u ndanë të kënaqur me pajisjen që iu erdhi në spitalin ku punojnë.
Në Komisionin Vlerësues për këtë tender, prej tre anëtarëve, dy janë nga QKUK – Besim Zeqiri e Muharrem Sadiku, kurse i treti Sylejman Krasniqi, është radiolog në spitalin e Prizrenit.
Ky i fundit nuk e kishte vënë nënshkrimin kur u shpall fituese kompania NeuralMed në konzorcium me prodhuesin nga Kina – Unitet Imaging Healthcare.
Përveq që nuk kishte nënshkruar, Krasniqi ua dërgoi edhe një letër zyrtarëve të lartë në Ministrinë e Shëndetësisë, për t’i shpjeguar arsyet.
Në lëtërkëmbimin e radiologëve të Prizrenit me zyrtarët e MSH-së gjatë periudhës sa tenderi ishte ende aktiv.
Në këtë letër, radiologu Krasniqi hedh dyshime serioze rreth pajisjes nga Kina që pritej të vinte në spitalin e Prizrenit.
“Prizreni si regjion ku jetojnë gati gjysëm milioni njerëz do të ishte e rendit të pajiset me një aparat të kualitetit të konfirmuar që do të shërbente për një kohë më të gjatë dhe pa defekte të shpeshta”, thuhet ndër të tjera në letrën e Krasniqit për MSH-në, të cilën e kishin nënshkruar edhe shtatë radiologë tjerë të këtij spitali.
Krasniqi, në këtë letër shpreh hapur pakënaqësitë me pajisjen, e cila sipas tij, ka “performaca të panjohura dhe nuk është instaluar askund në rajon”.
“Kemi kërkuar e hulumtuar për këtë aparat dhe ky për momentin është i instaluar vetëm në disa vende të Afrikës. Ju bëjmë apel të gjithë juve përgjegjësve në këtë tender, mos na pajisni me aparate të dobëta, ju lusim!”, thuhet në letër
Por, ky apel i radiologut Krasniqi hasi në “veshë të shurdhër”. Tenderi nga MSH, me një nënshkrim mangu, u procedua tutje.
Ndaj Krasniqit, sipas dëshmive të publikuara në artikullin e parë, ishte ushtruar presion nga të gjitha anët, për ta vënë nënshkrimin.
Buletini Ekonomik këtë javë ka vizituar spitalin e Prizrenit, për ta intervistuar lidhur me këtë letër radiologun Sylejman Krasniqi.
“Pajisje e mesme”, “imazhe modeste”
Kina është vend i njohur për mbiprodhim të rezonancave magnetike me kualitet më të dobët e me çmim më të lirë. Prodhuesi United Imaging Healthcare, prej të cilit ka blerë Ministria e Shëndetësisë, në uebfaqen në internet nuk ka asnjë fakt të bërë publik nëse ka të instaluara pajisje të tilla në Evropë, apo vendet e rajonit.
Një hulumtim rreth këtij prodhuesi e kishin bërë radiologët e Prizrenit para se të vinte pajisja, në fillim të këtij viti. Në letrën e radiologut Krasniqi, dërguar MSH-së, thuhet se “kjo pajisje është e panjohur për tregun e Evropës”.
Në uebfaqe të prodhuesit përmendet se një përfaqësi ky brend e ka edhe në Evropë, përkatësisht në Poloni, prej nga u importua pajisja për në Kosovë.
Rezonanca magnetike (MRI) është pajisja më e avancuar në fushën e radiologjisë. Njësia që e mat fuqinë e saj quhet teslla.
Në uebfaqe të prodhuesit kinez United Imaging Healthcare, rezonanca me fuqinë më të vogël, është pajisja që u instalua në spitalin e Prizrenit. Fuqia e saj është 1.5 teslla, ndërsa rezonanca me fuqinë më të madhe te ky prodhues është 5.0 teslla.