Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se vizita e shefit të CIA-s, William Burns, ishte një mundësi fort e mirë për të biseduar një gamë të gjerë temash.
Përmes një postimi në Facebook, i pari i qeverisë theksoi se me vizitën e tij avancohet bashkëpunimi strategjik, në shërbim të paqes demokratike dhe sigurisë euro-atlantike në rajon e më gjerë.
Po ashtu, kryeministri tha se e ka njoftuar Burns me progresin e vendit tonë duke potensuar se “anti-korrupsioni është bërë rritje ekonomike kurse qeverisja e mirë është bërë mirëqenie shoqërore”, përcjell Insajderi.
Postimi i plotë i Kurtit:
Marrëdhëniet e fuqishme bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duam t’i forcojmë e zgjerojmë edhe më tej. Vizita e Drejtorit të CIA-s, diplomatit briliant William Burns, ishte një mundësi fort e mirë për të biseduar një gamë të gjerë temash dhe për të thelluar e avancuar bashkëpunimin tonë strategjik, në shërbim të paqes demokratike dhe sigurisë euro-atlantike në rajon e më gjerë.
Kosova është shembull suksesi i demokracisë zhvillimore, ku anti-korrupsioni është bërë rritje ekonomike kurse qeverisja e mirë është bërë mirëqenie shoqërore. E njoftova z. Burns me progresin e vendit tonë, të cilin e ruajmë dhe mbrojmë teksa e ngrisim më tej dhe shtojmë. Qeveria e Republikës së Kosovës gjithashtu po i menaxhon sfidat e brendshme të sigurisë suksesshëm, e drejtuar nga forca e ligjit të drejtë me institucione e mekanizma të shtetit tonë demokratik. Në tri vitet e fundit, gjersa Bruto Produkti Vendor i Kosovës është rritur për 33% e buxheti shtetëror për 35%, për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes, i kemi dedikuar 11.1% (apo 1/9) e buxhetit vjetor. Çlirimi e pavarësia e vendit tonë, mbështetja e përhershme amerikane në aq shumë fusha, ishin e janë gjë e drejtë dhe e duhur që ia ka vlejtur fort për të gjithë.
Shpreha edhe përkushtimin e pareshtur drejt vlerave e parimeve të përbashkëta që ndërlidhen me lirinë dhe demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe orientimet e palëkundura drejt anëtarësimit në NATO dhe BE. E falënderoj Drejtorin e CIA-s, William Burns, për mbështetjen e vazhdueshme dhe këtë vizitë historike në vendin tonë.