Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Rajoni Ferizaj, pas pranimit të informatës mbi dyshimin se një person ka bërë përfitim personal në mënyrë të paligjshëm ka filluar hetimet intensive lidhur me personin e dyshuar.
Pas veprimeve hetimore është vërtetuar se personi i dyshuar E.Q. (24), menaxher në një kompani private, në periudhën janar-mars 2024, kishte arritur që përmes faturave dhe klientëve fiktivë, për vete të përfitojë 35 mijë euro, duke i shkaktuar dëm kompanisë ku ai mbante këtë pozitë.
Me këto veprime, E.Q. duke mos zbatuar detyrimet që rrjedhin nga kontrata dhe përgjegjësitë si menaxher, dyshohet të ketë kryer veprën penale keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike. Ai është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ku pas intervistës, me aktvendim të prokurorit dërgohet në mbajtje 48 orë.